Ermal Fejzullahu u shpreh gjatë një interviste së fundmi se është trup që këngëtarët të qahen për lekë.
Deklaratat e tij shkaktuan bujë dhe debate në rrjetet sociale, ndaj këngëtari u detyrua që të sqarohet.
Në një postim në Instagram, u shpreh se intervista e tij është keqinterpretuar në mënyrë të paskrupullt.
Këngëtari tha se arti nuk është vetëm pazar ndërsa shtoi se lokalet e natës dhe diskot duhet të hapen pasi janë burim të ardhurash për këngëtarët dhe mijëra njerëz që kanë mbetur pa punë.
Ai theksoi se obligimi është më i madh ndaj këtyre njerëzve sesa ndaj këngëtarëve.
Ermal Fejzullahu: “Një intervistë e imja e fundit tek Ora Verore është keqinterpretuar në mënyrë të paskrupullt nga ata që pak kuptojnë nga arti dhe kultura dhe aq më pak nga humanizmi. Dua të them dhe të përsëris se arti nuk është vetëm pazar, por është diçka më shumë dhe atë shumë më shumë. Të krahasosh të hyrat financiare të këngëtarëve dhe punëtorëve nga fusha e gastronomisë dhe atyre nga prodhimi për shembull është të paktën jo e sinqertë.
Diskotekat, lounge baret duhet të hapen urgjentisht ngase janë edhe burim i të ardhurave tona si këngëtarë, por mbi të gjitha janë burim i atyre mijërave punëtorëve që kanë mbetur pa të ardhurat e tyre ekzistenciale. Obligimi ndaj tyre dhe familjeve të tyre është më i madh se ne. Të mendosh se pjesa dërrmuese e qytetarëve nga Shqipëria dhe Kosova, në këtë kohë pandemie, mezi ia dalin të mbulojnë nevojat e tyre elementare për ekzistencë, vërtetë është për keqardhje dhe duhet kërkuar zgjidhje.
Ne me artin tonë ekzistojmë falë punës tonë që e pëlqejnë po këta qytetarë, të cilët sot janë në hall financiar jo për fajin e tyre. E ne sot të bëhemi temë me ankesat tona për mungesë pazaresh, nuk do koment. Ne që burim i pazareve tona janë mu ata qytetarë që kjo kohë u ka rrezikuar ekzistencën. E them, edhe atë me zë të lartë se arti im, kënga ime është më shumë se pazar.”
Gjatë intervistës në Ora Verore, këngëtari tha se në Shqipëri dhe Kosovë ka shumë shtresa të varfra ndaj është turp për këngëtarët që ankohen se kanë mbetur pa punë.
“Kolegët e mi janë ligështuar sepse nuk kanë pasur shumë punë. Por përderisa në trojet e Kosovës dhe të Shqipërisë ka shumë të varfër, për ne është shumë turp të na dëgjojë kush duke u ankuar, duke thënë nuk kemi punë. Është turp prej Zotit, kështu që ne të bëjmë maksimumin tonë dhe t’i kënaqim ata njerëzit. Nuk kanë lidhje pazaret, nuk kanë lidhje lekët, është turpi i botës të flasin këngëtarët për lekë. Është turpi i botës, të betohem,”- u shpreh ai.