Quantcast
Channel: » Panorama Plus
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3508

Arta Dobroshi bëhet nënë në prag të 40-ve, historia me producentin e filmave që e pranoi për bashkëshort

$
0
0

Aktorja e njohur nga Kosova, Arta Dobroshi, është bërë nënë për herë të parë në prag të 40-ve. Kështu, artistja mjaft e pëlqyer finalizon historinë e saj të dashurisë me producentin e filmave, Shkumbin Jakupi, me fëmijën e tyre të parë që është djalë.

Ndonëse prej çiftit nuk ka një reagim, mediat kanë publikuar foton e parë të çiftit si një familje, ndërso ndodhen në maternitet me beben e porsalindur. Arta dhe Shkumbini vendosën ta quajnë djalin e tyre Tom Engjëll, një emër në dukje sa tradicional aq edhe modern, por njëkohësisht i veçantë.

Ajo dhe Shkumbini kanë pasur një histori dashurie, të cilën fillimisht kanë preferuar ta mbajnë jashtë vëmendjes së publikut, derisa nisën të parakalonin bashkë në tapetet e kuqe të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, duke filluar nga ai i Kanës etj.

Arta Dobroshi është një nga aktoret më të spikatura të kinematografisë në Kosovë, e cila fitoi më shumë famë pikërisht kur shkeli në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës, duke marrë kritika shumë të mira për rolin e saj në filmin “Lorna”, 2008. Në vitin 2017, filmi “Home”, një film për refugjatët, u vlerësua me “Luani i Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Po kur u thirr që të merrte çmimin, Arta theu protokollin me mbajtjen e një fjalimi të shkurtër, ndonëse fjalimet nuk lejoheshin.

“Nacionaliteti im është Lumturia në një vend që quhet Botë”, tha ajo.

Ndërsa në një intervistë për Jonida Podcast në dhjetor të 2018-ës, Dobroshi u shpreh: “Momenti u prit shumë mirë. E mendova aty për aty. Para se të dilja në skenë, diçka brenda meje më vlonte. Ishte e rëndësishme që njerëzit të kuptonin se refugjatët janë njerëz si unë, si ti. E dija që nuk lejohej të thoshe ndonjë gjë, pasi ka aq shumë çmime dhe nuk parashikohen fjalime. Por kur dola në skenë, fokusi im ishte mikrofoni. Nuk e shihja fare çmimin. Personi aty u nis të më ndalonte, por besoj se energjia ishte shumë e fortë. Besoja që gjyshi ishte aty me mua. Shumë njerëz më vinin ndërmend. Kam ardhur si një, kam qëndruar si 10 mijë. Nuk isha vetëm.”

Para pak kohësh, Arta ishte pjesë e kastit të aktorëve të serialit “Gangs of London”, një serial dramë-aksion, bashkëpunim britanikoamerikan i prodhuar nga Pulse Films & Sister, ku fabula bazohet në rivalitetin e bandave dhe organizatave kriminale në Londër.

E lindur në Prishtinë më 2 tetor 1980, gjatë luftërave të Ballkanit, prindërit e saj e dërguan atë për disa muaj në Albany të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe pati kontaktet e para me aktrimin.

Në moshën 17-vjeçare, Arta u kthye në vendlindjen e saj në Kosovë, për të studiuar katër vite aktrimin në Akademinë e Arteve të Univerisitetit të Prishtinës dhe në vijim të luante si aktore teatri në pjesë klasike, si “Një ëndërr vere” e Shekspirit etj. Gjatë kësaj kohe, Arta luajti edhe role në filma me metrazh të shkurtër.

Pas disa prodhimeve të mëdha si “Syri Magjik” i Kujtim Çashkut apo “Trishtimi i zonjës Shnajder”, Arta u tërhoqi vëmendjen dy kineastëve belgë. Vëllezërit Dardenne i ofruan asaj rolin kryesor në një film të tyre. Filmi “Heshtja e Lornës” festoi premierën e tij në Festivalin e 61-të në Kanë, ku aktorja shqiptare bashkë me argjentinasen Martina Gusman ishin favoritet kryesore për çmimin e aktrimit.

Ajo u vlerësua nga të gjithë kritikët dhe nga e përditshmja franceze “Le Monde” si “Margaritari” i ri i Dardenneve. Nuk dihet se kur do të kthehet në sheshxhirim Arta Dobroshi, tashmë që është bërë nënë.

/Panoramaplus.al

  


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3508